Investime për transformimin e shkollave në Patos

TIRANË, 28 prill/ATSH-Maela Marini/ Investimet në arsim kanë transformuar rrënjësisht shkollat e Patosit, duke siguruar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit.

Në një prononcim për ATSH-në, kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj sjell në vëmendje dy prej projekteve kryesore ku është investuar nga buxheti i shtetit.

Ajo theksoi se “gjatë 2018, Bashkia Patos ka aplikuar pranë Ministrisë së Arsimit për projektin e rikonstruksionit të shkollës “Meleq Gosnishti” dhe për rikonstruksionin e shkollës “Mustafa Matohiti””.

“Të dyja këto projekte janë fituar, konkretisht “Meleq Gosnishti” në vitin 2018, ndërsa “Mustafa Matohiti” në fillim të vitit 2019. Projekti për rikonstruksionin e shkollës “Meleq Gosnishti” kishte një kosto investimi 70,198,063 lekë dhe ka filluar zbatimin në muajin nëntor 2018 dhe parashikohet që punimet të zgjasin 6 muaj”, tha ajo.

Ndërsa projekti për rikonstruksionin e shkollës “Mustafa Matohiti”, sipas Balilaj, ka një kosto investimi 89,784,531 lekë dhe është në proces prokurimi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.