TIRANË, 9 prill/ATSH/ Qendra shëndetësore në Tregan të Elbasanit është transformuar plotësisht falë investimeve të qeverisë në kuadër të programit për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore në gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të këtij ndryshimi rrënjësor që ka prekur shërbimin parësor shëndetësor në gjithë vendin.
“Mirëmëngjes dhe me transformimin që vazhdon çdo ditë, hap pas hapi, cep më cep të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Duke folur për ndryshimet që janë realizuar, një banore e kësaj zone shprehet se “këtu ka qenë lagështirë dhe papastërti, ndërsa gjendja që është sot më ke bërë shumë, shumë përshtypje”.
Dr. Skënder Berberi tha se “kushtet para 4 vitesh kanë qenë mizerabël, ndërsa sot është ndryshim kolosal, janë kushte të mrekullueshme”.
Edhe infermierja e kësaj qendre shëndetësore, Kaçe Çaçiu, duke sjellë në kujtesë kushtet para 4 vitesh, tha se “dokumentet nxiheshin nga myku i zi dhe lagështira, ndërsa tani kushtet janë shumë të kënaqshme”. /m.m/





















