ANKARA, 8 prill /ATSH-AFP/ – Pas zgjedhjeve lokale të javës së fundit, Turqia do të hyjë në një periudhë katërvjeçare pa zgjedhje të parashikuara, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdogan premton reforma ekonomike.
Vendi është në nevojë urgjente për të, ndërsa ekonomia po kalon recesionin e parë në 10 vite, inflacioni vjetor është rritur për shkak të erozionit të lirës turke dhe ka arritur nivele rekord, ndërsa papunësia ka arritur shifrën 13,5% në dhjetor, shifra më e lartë që prej vitit 2010.
Kjo pamje e zymtë ka ndikuar ndjeshëm, sipas analistëve, në disfatën elektorale të partisë së presidentit Erdogan në zgjedhjet lokale të 31 marsit. Sipas rezultateve paraprake, opozita ka fituar Ankaranë dhe Stambollin.
Investitorët presin të sigurohen nga Erdogani, në një kohë që Turqia ka votuar tetë herë në pesë vite, kur pozicionet ekonomike i janë shmangur vijës tradicionale dhe grindjet me Uashingtonin po shqetësojnë tregun.
Lira turke vijon të mbetet e paqëndrueshme dhe analistët shprehen që presidenti duhet të kombinojë masat afatshkurtra në mbështetje të monedhës vendase me reformat strukturore për të bërë të mundur qëndrueshmërinë ekonomike afatgjatë.
Ministri turk i Financave, Berat Albayrak u shpreh se Turqia po hyn në një “periudhë riekulibrimi ekonomik”. Ai duhet të publikojë të mërkurën disa masa të shumëpritura.
Zgjidhje të vazhdueshme
Suksesi i dikurshëm elektoral i partisë së presidentit, AKP, që prej vitit 2002 bazuar në një rritje ala stilit kinez, tashmë mbetet vetëm një kujtim.
Pas rritjes prej 7,4% në vitin 2017, PBB u rrit vetëm 2,6% në vitin 2018, me dy tkurrje prej 1,6% dhe 2.4% në dy tremujorët e fundit që e zhytën vendin në recesion.
Muajt e fundit u shënuan edhe nga rënia spektakolare e lirës turke, e cila humbi rreth 30% të vlerës së saj kundrejt dollarit, duke ushqyer një inflacion vjetor prej 20%.
“Në fjalimet publike, udhëheqësit ekonomik duket se pajtohen me nevojën për reforma”, shprehet në një raport për ”Oxford Economics” Maya Senussi, por në praktikë, bilanci i fundit i qeverisë është mediokër.
”Autoritetet jo vetëm që duhet ta pranojnë se janë bërë gabime, por gjithashtu të tregojnë se janë të gatshëm të sakrifikojnë rritjen afatshkurtër për të shtuar mundësitë për një prosperitet afatgjatë”, vazhdon ajo.
Një nga shqetësimet kryesore të ekonomistëve është ekspozimi i kompanive turke ndaj borxhit të jashtëm, zhvlerësimi i lirës i shton akoma më shumë shumat që do të rimbursohen në valutën e huaj.
Reforma kushtetuese e vitit 2017 i dha Erdoganit më shumë kompetenca, duke ia bërë kështu më të lehtë kryerjen e reformave.
Një temë shqetësuese për vëzhguesit mbetet ajo e pavarësisë së Bankës Qendrore Turke, që është nën presionin e presidentit i cili nuk e fsheh kundërshtimin e tij ndaj normave të larta të interesit, edhe nëse ato mund të frenojnë inflacionin.
Një javë para zgjedhjeve lokale, lira turke është përballur me luhatje të cilat reflektojnë shqetësimin e tregjeve, që dyshojnë se Banka Qendrore ka tërhequr nga rezervat e saj të jashtme, që janë shkrirë papritmas, për të mbështetur lirën.
Kreu i shtetit turk ka sulmuar gjithashtu bankat e investimeve dhe ja ka atribuuar luhatjet e kohëve të fundit të lirës një operacioni perëndimor që synon “të zërë ngushtë” Turqinë.
Një re diplomatike është shfaqur gjithashtu në horizont, me supozimin e sanksioneve amerikane në rast të blerjes nga Ankaraja të një sistemi anti-balistik rus, vendim për të cilin Erdogan duket i vendosur.
”Të mërkurën, Albayrak pritet të vijë me një program që do të bindë tregjet, dhe mbi të gjitha vetë turqit, se autoritetet e tanishme e dinë se çfarë po bëjnë, dhe të rifitojë besimin”, thotë Timothy Ash nga ”BlueBay Asset Managementll./ /vb/ /esko/ a.jor.






















