Ballina Flash

Soreca: Shqipëria progres thelbësor në disa fusha

TIRANË, 2 prill/ATSH/ – Pak muaj para vendimit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ambasadori Luigi Soreca thekson se Shqipëria ka treguar progres thelbësor në një sërë fushash, duke specifikuar Reformën në Drejtësi.

Gjatë një interviste televizive, ambasadori i BE në Tiranë theksoi se Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK) do t’i çojë hetimet në një nivel tjetër, duke ju dhënë një mesazh të qartë edhe grupeve kriminale.

Që nga qershori i vitit të shkuar, kur Këshilli ka identifikuar elemente me të cilat Shqipëria duhet të ecte përpara është bërë progres thelbësor dhe domethënës në disa fusha, si në Reformën në Drejtësi. SPAK-u do të hapë derën për këtë nivel të dytë hetimesh që, ndërkohë që vazhdohet të luftohet kundër bandave kriminale, do të shikohen edhe pasojat që sjell krimi i organizuar, ose pasojat që mund të ketë në shoqëri. Dhe përvoja që kam pasur unë në këtë fushë në të shkuarën tregon që kjo ndodh vetëm kur ka një vullnet të fortë politik dhe shoqëror, ajo që në anglisht quhet qasja nga poshtë-lart, nga lart-poshtë, kur shoqëria civile, por edhe politika kërkojnë dhe duan të njëjtën gjë, që të ndodhë e njëjta gjë. Prandaj thirrja jonë vazhdimisht u bëhet partive politike që të gjejnë konsensus për këto gjëra. Edhe kjo që është lufta më e rëndësishme që duhet të bëjë Shqipëria, që të pastrojë shoqërinë, ka filluar tashmë me Reformën në Drejtësi. Kjo gjë duhet të vazhdojë të bëhet edhe më tej dhe unë jam i sigurt që Shqipëria do të shpërblehet për këtë”, – shprehet Soreca.

Gjatë intervistës, Soreca theksoi gjithashtu se Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

“Shqipëria është Europë, është e rrethuar nga shtete anëtare të BE-së në disa anë të saj. Ajo që mungon është që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Dhe kjo natyrisht nuk do të ndryshojë në 5, 10, 20 vjet. Bashkimi Europian do të vazhdojë të ekzistojë dhe Shqipëria duhet të bëhet pjesë e tij, pasi është tashmë pjesë e familjes europiane dhe shqiptarët janë europianë. Dhe ky është mesazhi më i fortë që mund të japësh edhe në Bruksel”, – përfundoi ai.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump përshëndet rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen nga vendet e NATO-s
Artikulli tjetërFUTBOLL – Barazim dhe dëmtime, Gatuzo në telashe