Ballina Bota

SHKUP – Maqedonia e Veriut dhe Greqia bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

SHKUP, 2 prill /ATSH-MIA/ – Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska në takimin e sotëm dypalësh me ministrin grek të Mbrojtjes, Evangelos Apostolakis, pjesë e delegacionit të udhëhequr nga kryeministri Aleksis Cipras, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Shkup, kanë nënshkruar marrëveshje të përgjithshme për bashkëpunim në mbrojtje, 20 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë për bashkëpunim të këtij lloji, informojnë nga Ministria.

“Sot jemi dëshmitarë të hapit të madh përpara në përforcimin e bashkëpunimit në mbrojtje mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Iniciativa për nënshkrimin e Marrëveshjes doli nga takimi ynë i parë ministror më 13 shkurt në Bruksel. Nga takimi ynë i parë dolëm që me përkushtim të njëjtë në thelb ta përforcojmë bashkëpunimin në mbrojtje, të tregojmë se aleanca në NATO drejt së cilës na çon Marrëveshja e Prespës është ekskluzivisht interes i qytetarëve të të dy vendeve. Marrëveshja për bashkëpunim në mbrojtje e tregon përkushtimin tonë për bashkëpunim”, tha ministrja në mbledhjen e përbashkët të dy delegacioneve.

Ministri Apostolakis theksoi se vizita e tij e sotme në vendin Maqedoninë e Veriut si pjesë e delegacionit zyrtar grek, të udhëhequr nga kryeministri Cipras, paraqet një vulë të vullnetit të fuqishëm për të përforcuar dhe zgjeruar bashkëpunimi dypalësh dhe të ngrihet në nivel të partneritetit strategjik në sferën e mbrojtjes. Ai tha se të dy vendet e kanë përcjellur mesazhin e pajtimit dhe bashkëpunimit.

“Marrëveshja për bashkëpunim në mbrojtje që e kemi nënshkruar është dëshmi e qartë për qëllimin tonë të fuqishëm që të hapim kapitull të ri në bashkëpunimin dypalësh në mbrojtje mes dy ushtrive”, tha Apostollakis duke theksuar se ai dhe ministrja Shekerinska kanë vendosmëri të njëjtë që bashkëpunimi të japë rezultate sa më shpejtë.

Në marrëveshjen, siç kumtojnë nga Ministria, janë cekur sferat e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë si dialogu strategjik, politika mbrojtëse dhe doktrinat, zhvillim i aftësive mbrojtëse, planifikimi mbrojtës, logjistika, mjekësia ushtarake, arsimi ushtarak etj.

Ministrat Shekerinska dhe Apostollakis përfunduan se takimi i sotëm dhe marrëveshja e re për bashkëpunim mbrojtës janë mundësi të jashtëzakonshme për bashkëpunim të ri strategjik në planin dypalësh dhe rajonal, por edhe si aleatë, në kuadër të NATO-s, thuhet në këtë deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut. /G.S/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – May kërkon një shtyrje të re të Brexit nga BE-ja
Artikulli tjetërSHKUP – Xhaferi uron Ciprasin dhe Zaevin për kalimin e konfliktit disa vjeçar