TIRANË, 1 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama kërkoi sot adresimin e problemit të mesatares në universitet.
Gjatë prezantimit të bibliotekës dixhitale, Rama tha se “është shumë e nevojshme të rrisim cilësinë e atyre që kryejnë studimet e larta të plota dhe të krijojmë hapësirë për ata që do të thellojnë njohuritë në një zanat të caktuar”.
“Nuk mund të vazhdojmë më me mesatare 6 dhe pastaj në fund fare të dalin nga universiteti ashtu si hyjnë, pa qenë në gjendje t’i afrojnë asnjë gjë tregut të punës”, – tha Rama.
Ai kërkoi që të fuqizohet pjesa cilësore dhe të krijohen kushte për të tjerët që të marrin një zanat.
“Është një çështje që po e studiojmë për të përballuar edhe një rritje artificiale të mesatares. Ky problem që nuk zgjidhet brenda një periudhe të shkurtër, por do të shohim si do të kombinojmë më mirë mesataren me rezultatet e provimeve. Ne përgjysmuam tarifën për të gjitha kategoritë, por nuk mund të vazhdojë historia që taksat tona të vazhdojnë të paguajnë studentë me nota 5”, – tha Rama. /a.g/






















