TIRANË, 1 prill/ATSH-Maela Marini/ Biblioteka dixhitale siguron një hapësirë të jashtëzakonshme me shumëllojshmëri materialesh për të gjitha fushat e studimit, ndërsa vlen për t’u theksuar fakti se kjo bibliotekë ofron metoda për mësimin e mbi 30 gjuhëve të huaja.
Në kuadër të Paktit për Universitetin u prezantua sot Biblioteka Dixhitale Universitare, një tjetër kërkesë e ngritur nga studentët në protestën e tyre.
I pranishëm në këtë prezantim, Kryeministri Edi Rama tha se “protesta e studentëve ishte shtysa për të përshpejtuar ritmin e punës sonë në funksion të adresimit të këtyre nevojave realisht bazike”.
Çelja e rrugës për shfrytëzimin e një biblioteke dixhitale globale, sipas Kryeministrit, është domosdoshmëri dhe kompenson në mënyrë shteruese të gjitha mangësitë dhe boshllëqet e trashëguara sa i përket materialeve shkencore që pedagogët dhe studentët duhet të kenë në dispozicion.
“Deri më sot ky akses është mundësuar përmes të tretëve dhe me rrugë të tjera, por ka qenë e pamundur të jetë akses i drejtpërdrejtë për të gjithë në Shqipëri. Edhe në këtë drejtim ne e realizuam objektivin brenda afatit të përcaktuar në Paktin për Universitetin”, – tha Rama.
Rama veçoi veçanërisht mundësinë që ofrohet për kësaj biblioteke për të mësuar rreth 30 gjuhë të huaja, që ofrohen përmes metodës Rosseta Stone.
Në këtë drejtim, Rama tha se ka ardhur koha të adresojmë rregullin ekzistues, por të pazbatuar cilësisht për nevojën e zotërimit të anglishtes. “Nuk mund të imagjinohet që të ketë sot studentë që bëjnë masterin dhe nuk kanë dije të gjuhës angleze. Ndërkohë duhet të adresojmë edhe mungesën e dijes së gjuhës shqipe, që është e dukshme dhe e prekshme, pa llogaritur drejtshkrimin shqip, një problem i madh sot për ne”, – tha Rama. /j.p/













