TIRANË, 26 mars/ATSH-Maela Marini/ “Rikonsiderimi i kanosjes ndaj bluzave të bardha si vepër penale specifike është një domosdoshmëri”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim me mjekë dhe drejtues shërbimesh shëndetësore për ndryshimet në Kodin Penal për dhunën ndaj personelit mjekësor.
Rama paralajmëroi ashpërsim të masave ndëshkimore në Kodin Penal për dhunën e ushtruar ndaj bluzave të bardha, si dhe më shumë cilësi, siguri, profesionalizëm për qytetarët dhe personelin mjekësor.
“Ky nuk është një problem i ri, është i vjetër dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund të vazhdojë më të mbetet një problem i hapur dhe të kërcënojë më tej qetësinë dhe sigurinë e të gjithë profesionistëve të shëndetësisë në shërbimin ndaj njerëzve”, – tha Rama, ndërsa iu referua 4 rasteve të bëra publike të agresionit të verbër ndaj mjekëve.
Cenimi i sigurisë fizike për personat në detyrë, sipas Kryeministrit, është i papranueshëm. “Sot është kthyer në sport më vete cenimi i sigurisë fizike duke goditur mjekë, policë, punonjës të shtetit, apo përfaqësues të popullit dhe duke vënë në pikëpyetje një nga gurët e themelit të gjithë këtij sistemi”, – tha Rama.
Goditja për shkak të detyrës, sipas tij, ndëshkohet me Kod Penal, por ka një hapësirë diskrecioni ku fitojnë gjithmonë ata që duhet të ndëshkohen dhe humbasin ata që duhet të fitojnë drejtësi.
“Kjo për shkak të gjykatave që janë ende pengje të korrupsionit. Ndaj është e domosdoshme që ne të ndërhyjmë përsëri në Kodin Penal. Ministrja e Drejtësisë po udhëheq procesin dhe goditja për shkak të detyrës do të hyjë në një kornizë të re pamundësie për diskrecion nga ana e prokurorëve dhe gjykatësve”, – tha Rama.
Rama tha se “përllogariten rreth 315 mijë raste të trajtuara vetëm në urgjencat e QSUT-së, në kohë dhe me përgjegjshmëri nga mjekët, pavarësisht vështirësive me të cilat ata përballen”.
“E sjell këtë shifër si një tregues të faktit se pavarësisht një volumi jashtëzakonisht të madh pune, ekipet e urgjencave ia kanë dalë të përballojnë flukset e 24 orëve gjatë çdo dite të javës. Pavarësisht cenimit psikologjik që bën tek çdo profesionist i fushës çdo rast agresioni, bluzat e bardha ia kanë dalë të qëndrojnë në krye të detyrës dhe të mos e braktisin institucionin e tyre, madje janë përballur me këtë fenomen duke ngritur zërin dhe duke protestuar”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “njerëzit duhet të kuptojnë se mjekët nuk janë figura e djallit që përgojohet çdo ditë, sidomos në rrjetet sociale”.
Por nga ana tjetër, Rama tha se “nëse do të thoshim se në sistemin tonë shëndetësor nuk ka korrupsion kjo do të ishte një gënjeshtër e madhe”. “Shërbimin shëndetësor e shajnë dhe e mallkojnë ata që nuk e kanë provuar, kurse rastet e atyre që dalin me respekt për mjekët dhe infermierët janë të panumërta, por nuk përbëjnë lajm”, – tha Rama.
Sipas tij, “nuk përbëjnë lajm 315 mijë trajtime urgjencash shëndetësore, por ato raste që numërohen me gishtat e dorës kur mjekët ekspozohen ndaj korrupsionit”.
Po ashtu, Rama pranoi se “dobësitë, boshllëqet dhe të metat e sistemit tonë të shërbimit në spitale apo qendra shëndetësore janë më shumë të lidhura me sistemin e menaxhimit se sa me bluzat e bardha”. “Kemi një sistem menaxhimi që nuk është uniform dhe lë shumë për të dëshiruar në spitale të caktuara apo në qendra të caktuara të kujdesit shëndetësor”, – tha Rama. /j.p/






















