TIRANË, 19 mars /ATSH/ – Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, tha sot se, “po bëhemi gati të hapim thirrjen e dytë për aplikime të fermerëve, në programin IPARD II, që mbështet financimin e investimeve në sektorin rural”.
Çuçi e vlerësoi sukses, procesin e thirrjes së parë gjatë vitit 2018, ku numri i aplikimeve arriti në 317 aplikime për tri masat e mbështetjes (investime në perime, agropërpunim dhe agroturizëm). Ndërkohë që shuma e grantit total në këtë thirrje ishte 56 milionë euro, kundrejt fondit prej 94 milionë euro që është vlera e të gjithë projektit.
“Ne jemi shumë optimistë për këto aplikime. Shumica e aplikimeve janë përqendruar në rajonin e Fierit, Korçës, Tiranës, Durrësit dhe Beratit, ndërsa shpresojmë që interesi i fermerëve për të përfituar mbështetje financiare do të shtrihet nga jugu e deri në veri të vendit”, u shpreh ministri, gjatë takimit që zhvilloi sot me përfaqësues të programit IPARD. /e.xh/e.caushi/





















