Ballina Flash

FOTO/ Vlora, transformimi në perlë të Rivierës shqiptare

TIRANË, 19 mars/ATSH/ – Qyteti bregdetar i Vlorës, i cilësuar si perla e Rivierës shqiptare ka pësuar një transformim rrënjësor.

Falë investimeve të kryera gjatë viteve të fundit në Vlorë, lagjet dhe rrugët e qytetit kanë ndryshuar krejtësisht pamje.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, publikoi sot disa fotografi, me anë të të cilave prezantoi ndryshimet që ka pësuar qyteti bregdetar në vitet e fundit.

Përveç shkollave, rrugëve dhe lagjeve të rehabilituara, vend parësor zë Lungomare, një projekt i cilësuar si më i rëndësishmi në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës.

Lungomare jo vetëm në verë, por edhe në stinët e tjera është ndër më tërheqësit për turistët vendas e të huaj.

I konceptuar si një hapësirë ku alternohen 3 lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, krijon mundësi që gjithkush të gjejë vetveten, në varësi të dëshirave të tij, duke u dhënë përparësi këmbësorëve.

Një tjetër atraksion që tërheq vëmendjen është edhe ura ekologjike e ndërtuar në ishullin e Zvërnecit, e cila ka bërë që ky ishull të kthehet në një destinacion artistik dhe i frekuentueshëm për të gjithë këmbësorët e interesuar.

Laguna e Nartës me qendër Zvërnecin u vizitua gjatë sezonit të kaluar veror nga rreth 30 mijë turistë të natyrës, të vëzhgimit të shpendëve dhe ata që preferojnë dunat detare për një plazh të pastër e të qetë.

Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHetimet online, 12 investigues trajnohen nga DASH
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Futbolli italian vishet me Armani