TIRANË, 3 mars/ATSH/-Maela Marini/ Ndërtimi i banesave sociale është investimi më i fundit në Bashkinë e Maliqit që do t’i vijë në ndihmë shtresave në nevojë.
Në një prononcim për ATSH, Kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu foli mbi këtë projekt që po realizohet me fondet e qeverisë dhe që do të sigurojë strehim për 8 familje në nevojë.
Investimi, sipas tij, ka një vlerë prej 7.6 milionë lekë dhe synon rehabilitimin e plotë të godinës së ish-laboratorit qendror, i cili do të shndërrohet në ambiente për strehim social.
Sipas Topçiut, fondi limit i vendosur në dispozicion nga qeveria për zbatimin e këtij projekti ishte 11.9 milionë lekë, ndërsa vlera e fituar ishte 7.6 milionë lekë.
Kryetari i Bashkisë së Maliqit informoi se godina që po rikonstruktohet ishte plotësisht e rrënuar dhe kishte dalë jashtë funksionit për vite të tëra. Tani ajo do t’i rikthehet komunitetit në formën e banesave sociale.























