TIRANË, 1 mars /ATSH/ – Aktorja Ina Gjonçi riktheu mbrëmjen e djeshme për publikun në skenën e Teatrit Eksperimental monodramën “Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë” shkruar nga Oriana Fallaci.
Kjo monodramë sjell figurën e një gruaje me pikëpyetje e dilema, e cila bashkëbisedon me krijesën e saj, duke zbuluar kështu, të vërtetat më të mëdha mbi dashurinë, dhimbjen, e jetën. Teksti i Fallacit shndërrohet me tekstin e çdo gruaje.
Në vitin 1975, shefi i saj, drejtori i gazetës “Europeo”, i kërkoi Fallacit një shkrim mbi abortin. Gazetarja u kthye pas gjashtë muajsh me tekstin e librit “Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë”. Shefi nuk ja fali “mosbindjen”, bota fitoi një nga tekstet më të drejtpërdrejtë mbi gruan, dashurinë dhe jetën.
Kjo shfaqje përçon tek publiku mesazhin se mbi të gjitha është bukur të jesh grua. Mesazhet e tjera që transmeton janë se së pari do duhet të bindësh të tjerët së ditën që Eva këputi mollën nuk lindi mëkati. Atë ditë lindi një virtyt i madhërishëm që quhet mosbindje.
Më pas duhet të mbrosh tezën se Zoti mund të jetë fare mirë një vajzë simpatike. E së treti, duhet të luftosh për të treguar se brenda qenies ekziston një zgjuarsi që meriton të dëgjohet.
Shfaqja vjen dhe mbrëmjen e sotme dhe në datat 2 dhe 3 mars për publikun në Teatrin Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”. /a.a/j.p/





















