TIRANË, 27 shkurt ATSH/ – Opozita nuk ka kërkuar pushtet në tavolinë. Ish-deputetja e Lëvizjes së Socialiste për Integrim, Nora Malaj në një intervistë televizive u shpreh se, qytetarët protestojnë, sepse parlamenti nuk është më i shqiptarëve.
“Çdo protestë e bërë nga opozita është një sinjal për qeverinë. Është hera e parë në histori që ka ndodhur djegia e mandateve. Natyrisht ndërkombëtarët janë të vëmendshëm sepse nuk kanë frikë vetëm për Shqipërinë, por për tërë rajonin se kjo mund të ndodhë kudo. Në të gjithë këtë qasje, LSI se ka aspak problem historinë e listës më pas, pasi procesi do të vazhdojë normalisht. Por ky parlament nuk është legjitim pasi sipas Kushtetutës duhet të ketë 140 deputetë që të funksionojë”, tha Malaj.
E pyetur për vizitën e sotme të një delegacioni të Parlamentit Europian, Malaj u shpreh se, ndërkombëtarët duhet të shohin realitetin në vend.
“Ndërkombëtarët kanë ardhur, sepse e kanë axhendën të planifikuar dhe s’e kanë marrë asnjëherë seriozisht Shqipërinë. Tashmë ka ardhur koha që ta marrin seriozisht këtë popull. Ne nuk mund të jemi ‘yes sir” në momentin që ti thua janë bërë disa vjedhje, por kjo nuk ndikon tek rezultati”.
E pyetur për dhunën në protestë, ajo tha se, askush nuk është pro dhunës. “Kush ka dalë pro dhunës, asnjë gazetar apo politikan nuk ka dalë pro dhunës. Kundër kujt jemi vënë ne, jemi ngritur ne? Ambasadorët duhet të vijnë kundër problemit të vjedhjes që s’po lë ekonominë, kundër narkotrafikut. LSI nuk është e ashpër me ambasadorët, por është e vërtetë me ambasadorët. LSI ka bërë një marrëveshje dhe është betuar të mbrojë kauzën e shqiptarëve, të cilët nuk pranojnë më që historia e Shqipërisë të jetë histori me kapje.
E pyetur për pjesëmarrjen në protesta, Malaj u shpreh se, “Shqipëria nuk është e ndarë në militantë. Po del në shesh pjesa më e madhe e popullit. Qeveria nuk mund ta ndëshkojë popullin e tij me gaz helmues, nuk mund ta ndëshkojë popullin e tij si kavje laboratori”.
/gj.mima/j.p/













