TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ – Procedura fillestare se si duhet gërmuar për të gjetur objekte arkeologjike vazhdon të mësohet në Muzeun Historik Kombëtar.
Sidomos një praktikë e tillë ka vlerë të madhe për fëmijët, të cilët do të jenë dhe arkeologët e së ardhmes.
Këtë herë një grup nxënësish të shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes” vizituan Muzeun Historik Kombëtar fillimisht për tu njohur me Pavijonin e Lashtësisë dhe me objektet e zbuluara në vite prej ekspeditave arkeologjike.
Më pas fëmijët vijuan me gërmimet dhe në përfundim plotësuan fjalëkryqin me fjalë nga arkeologjia dhe vizatuan objekte dhe mozaikë që panë në pavijonin e lashtësisë.
“Arkeologu i vogël” është një projekt i cili ka si qëllim të bëjë pjesë të gërmimeve arkeologjike fëmijët nga mosha 7-11 vjeç dhe përdorimi i mjeteve arkeologjike dhe teknikave të gërmimit u jep mundësinë nxënësve të jenë arkeologë për një ditë dhe të bëjnë zbulimet e tyre për epokat kryesore historike në Shqipëri.
Projekti “Arkeologu i vogël” synon që të afrojë në ambientet e muzeut fëmijët e të gjithë vendit. /a.a/j.p/























