Ballina Flash

Bordet e reja në universitete, nis përzgjedhja e kandidatëve

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ – Pas shkarkimit të anëtarëve të bordeve në institucionet e arsimit të lartë, 12 universitetet shtetërore në Tiranë dhe në rrethe do të kenë gati bordet e reja për administrimin e tyre në muajin mars.

Këshilli i Ministrave ka vendosur si afat të fundit për dorëzimin e emrave të kandidatëve për anëtarë të bordit nga ana e senateve akademike 26 shkurtin, duke vënë në dispozicion nga ana e ministrisë përgjegjëse një komision, i cili për një afat 10-ditor do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve të propozuar nga institucionet e arsimit të lartë.

Ky vendim plotëson një prej kërkesave të studentëve, pasi u jep mundësi këtyre të fundit të jenë të përfaqësuar, por jo vetëm kaq. Ndryshe nga bordet që kanë administruar universitet deri më tani, vota e studentit do të ketë një peshë më të madhe sa i takon përzgjedhjes së kandidatëve për dekanë dhe rektorë.

Këshilli i Ministrave në vendimin e miratuar në Fletoren Zyrtare krahas kritereve të kandidatëve ka përcaktuar edhe masën e shpërblimit të tyre me një kufi maksimal prej 25 mijë lekësh në muaj.

Bordet e administrimit garantojnë qëndrueshmërinë financiare të universiteteve dhe përmbushjen e misionit të tyre.

z.tosku/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZidane tek “Juventusi”, së bashku me 2 yjet e “Real Madrid”
Artikulli tjetërLamtumirë Arben Xoxa, intelektuali me qasje bashkëkohore në studimet shqiptare