Lamtumirë Arben Xoxa, intelektuali me qasje bashkëkohore në studimet shqiptare

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ – ”Çdo ikje është një vend bosh, çdo mendje e humbur është një gur më pak në mendimin intelektual të shoqërisë. Lamtumirë, Arben Xoxa, intelektuali që solli qasjen bashkëkohore dhe mendimin ndryshe në publicistikën dhe studimet shqiptare”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti për ndarjen nga jeta të Arben Xoxës.

Publicisti Arben Xoxa u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Arben Xoxa lindi në Tiranë më 1 maj 1952, si djali i Dhurata dhe Jakov Xoxa. Studioi gjuhë-letërsi dhe u specializua si kritik arti, gjithmonë me rezultate të shkëlqyera. Më pas punoi për shumë vite si pedagog në Universitetin e Tiranës, drejtues në Ministrinë e Arsimit, Akademinë e Shkencave, RTSH dhe më pas, prej vitit 1996 si Drejtor i Shtëpisë Botuese Enciklopedike, duke i qëndruar pranë dashurisë së tij më të madhe profesionale, librave.

Që në rini e deri vonë ishte i angazhuar në shtypin vendas dhe të huaj, duke botuar qindra shkrime dhe studime, dhe i mirënjohur si një prej personaliteteve të spikatura të mendimit kritik shqiptar.

Gjithmonë patriot, gjatë viteve të fundit u tërhoq nga shtypi dhe iu përkushtua botimit të veprave ndriçuese mbi historinë dhe çështjen shqiptare.

Arben Xoxa pati një familje të qetë dhe shumë të lumtur. Ndërroi jetë në krahët e gruas së tij Valbona dhe vajzës së tij Ajola Xoxa. /a.a/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.