Ballina Flash

Kishë e Shën Kollit në Kurjan, pasuri e çmuar për tërë zonën e Myzeqesë

TIRANE, 18 shkurt/ATSH/- 7 Monumentet e kulturës dhe vendet e kultit po përgatiten për të pritur turistët vendas dhe të huaj në këtë fillim sezoni turistik.

Institucionet dhe ekspertët përgjegjës për këto monumente po inspektojnë nga afër gjendjen e tyre, duke kontribuar si në mirëmbajtje gjithashtu dhe në rijetëzimin e tyre.

Një tjetër destinacion i denjë dhe gjithashtu vend kulti është gati të mirëpresë turistët. Në fshatin Kurjan të zonës së Roskovecit në Fier është restauruar Kisha e Shën Kollit, e cila është ndërtuar që në shekullin XIII, në stilin bizantin.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga Kisha e Shën Kollit.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje fantastike të Kishës së Shën Kollit në Kurjan të Roskovecit, e shpëtuar dhe e nxjerrë në dritë si një pasuri e çmuar për tërë zonën e Myzeqesë, ju uroj një javë sa më të mbarë”, shkruan Rama.

Kisha e Shën Kollit mbart vlera të rëndësishme të trashëgimisë historiko-kulturore dhe është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë në vitin 1963.

Kisha e Shën Kollit një ndërtim i tipit trikonkësh është ndërtuar me muraturë me tulla të kuqe dhe gurë të skuadruartek qoshet, kjo faltore është ndërtuar në shekullin XIII në stilin bizantin.

E përbërë nga Naosi (salla) dhe narteksi (parasalla) kisha e Shën Kollit, siç quhet nga vendasit, dikur mbulohej nga një qemer cilindrik tipik për kishat ortodokse.

Pikturat murale që zbukurojnë brendësinë e kësaj kishe, janë veprat e ikonografit Nikolla, biri i Onufrit dhe ndihmësit të tij, Joanit.

Ndërhyrjet që janë bërë në këtë kishë konsistojnë në restaurimin e çatisë, muraturës, fasadës së objektit, pikturës murale dhe sistemimin e ambienteve përreth objektit. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 18.02.2019
Artikulli tjetërKodheli: Projektet e përbashkëta, bëjnë të mundur përparimin e gjithë rajonit