Ballina Flash

Meta uron Thaçin për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/- Presidenti Ilir Meta uroi sot homologun e Kosovës, Hashim Thaçi për 11-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, duke shprehur besimin se kjo ditë e shënuar do të frymëzojë më shumë përpjekje për një Kosovë më të begatë dhe europiane që forcon sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Në mesazhin e urimit Meta shprehet se “përvoja shumë e mirë që kemi dhe vullneti i përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane, na angazhojnë të punojmë më shumë në të gjitha rrafshet. Bashkëpunimi ynë vëllazëror të bëhet shembull që udhëheq modelin e marrëdhënieve në rajon”.

“Si President i Republikës së Shqipërisë do të vazhdoj të jem përkrahës i vendosur në këto ndërmarrje që i afrojnë gjithnjë e më shumë dy shtetet tona, dhe që përbashkojnë të gjithë rajonin në familjen europiane dhe euro-atlantike”, theksoi Meta.

Presidenti Meta tha se “duke ju uruar edhe një herë sa më shumë përparim, suksese dhe integrim të plotë europian dhe euro-atlantik, lutem pranoni i nderuar President sigurimet e konsideratës sime të lartë”. /k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRikthehet MurAL Fest Tirana, transformimi i Tiranës në një imazh plot ngjyra dhe jetë
Artikulli tjetërPacolli fton sekretaren Albright që të vizitojë Kosovën