TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ – Nismat për shtimin e hapësirave të gjelbra në vendin tonë po angazhojnë përherë e më shumë qytetarët dhe brezin e ri për ta shndërruar Shqipërinë jo vetëm turistike, por dhe ambientaliste.
Së fundmi studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, departamenti Inxhinieri Mjedisi, vizituan Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Pas vizitës në Qendrën e Vizitorëve të Parkut, ku ata u njohën me vlerat dhe pasuritë natyrore të Parkut dhe me punën e stafit për mbrojtjen dhe menaxhimin e tij, ata mbollën rreth 100 pisha duke kontribuar në shtimin e sipërfaqes së pyllëzuar.
Parku Kombëtar i Divjakës është transformuar në një destinacion turistik gjithnjë e më i vizituar nga shqiptarë e të huaj.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë përsa i përket biodiversitetit. /a.a/j.p/























