TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurorit Adnan Kosova, i cili u konfirmua në detyrë nga ana e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit dhjetorin e kaluar. Komisioneri Publik ankimoi këtë vendim që konfirmon në detyrë prokurorin Kosova, duke kërkuar shkarkimin e tij.
“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Adnan Kosova, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë”, thuhet në njoftim.
Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Adnan Kosova. /j.p/























