Roth: Reformat e qeverisë në drejtimin e duhur, opozita të bashkëpunojë

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – “Përparimi i Shqipërisë është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit”, deklaroi në një intervistë për DW, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth.

Zyrtari i lartë gjerman vlerëson se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare janë në drejtimin e duhur. Ai inkurajon mazhorancën qeverisëse që të vazhdojë të ndjekë ritmin e këtyre reformave.

“Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së në muajin qershor të marrin këtë vendim njëzëri”, theksoi Roth duke shtuar se “qeverisë federale për një “po” i nevojitet drita jeshile nga Bundestagu”.

“Një gjë është e qartë: Çdo vend kandidat matet me arritjet e veta. Këshilli i BE-së vendosi në qershor 2018 se me çfarë do të maten përparimet e Shqipërisë. Këtu kanë rëndësi qendrore reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të drejtat e njeriut”, nënvizoi Roth.

Ministri gjerman inkurajon qeverinë që të vijojë me vendosmëri luftën kundër korrupsionit, si një prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në.

Për reformën në Drejtësi, Roth e konsideron si shembullore, duke shtuar se “procesi i verifikimit të gjyqtarëve – i ashtuquajturi Vetting – i cili ka filluar vitin e kaluar,  është duke ecur mirë”.

“Deri më tani janë shqyrtuar ose janë tërhequr nga procesi paraprakisht gati 100 gjyqtarë dhe prokurorë. Rreth gjysmës së tyre iu desh të largohej nga gjyqësori kryesisht, sepse nuk mund të shpjegonte me besueshmëri origjinën e pasurisë. Përveç kësaj, për plotësimin e vendeve vakante është ngritur një institucion i ri i pavarur dhe Shkolla e Magjistraturës po e përmirëson cilësinë e kualifikimit të tyre”, u shpreh ai për DW.

Lidhur me reformën zgjedhore, ministri gjerman apelon që të miratohet në Kuvend, duke sqaruar se “zbatimi i reformës zgjedhore është në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor, e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri”.

Ai deklaroi se “ne e kemi mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi”.

Roth shton se “këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.  Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen”.

I pyetur për protestën e opozitës më 16 shkurt, Roth shprehu besimin që “të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë”. Por ai thekson se “vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike”.

Përsa i përket marrëveshjes Kosovë- Serbi, ministri i shtetit Roth tha se “integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme”.

“Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit domino”, tha ai.

Ai nënvizoi se ajo çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura./k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.