Ballina Aktualitet

Ngritja e SPAK, garanci në luftën kundër korrupsionit

TIRANË, 30 janar/ATSH/ “Ngritja e SPAK-ut jep garanci për luftën kundër korrupsionit”, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërsa shprehu bindjen se “rezultatet konkrete të arritura do të ndikojnë pozitivisht dhe në rritjen e perceptimit të publikut”.

Përmes një deklarate për shtyp, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj foli për masat e marra në drejtim të konsolidimit të luftës kundër korrupsionit, përmes forcimit të strukturave antikorrupsion.

Ndryshimi i perceptimit të publikut, sipas saj, “është një sfidë jo e lehtë, e lidhur ngushtë me trashëgiminë ndër vite të një sistemi që më së shumti e ka stimuluar korrupsionin, sesa e ka luftuar atë, por edhe më tej akoma, me ngërçin politik që krijohet në mënyrë artificiale për të penguar rrugën e reformave të thella që kemi ndërmarrë tashmë”.

“Në Indeksin e Perceptimit të korrupsionit (CPI) 2018 i botuar para dy ditësh nga Transparency International, i cili mat nivelet e perceptimit për korrupsionin në sektorin publik në të gjithë botën, Shqipëria paraqitet me një rënie prej 2 pikësh”, tha Gjonaj.

Por, sipas aj, “trendi për të gjithë rajonin është në rënie, lidhur me perceptimin e publikut përsa i përket luftës kundër korrupsionit për vitin 2018”.

Ministrja theksoi se “disa nga rekomandimet kryesore për rajonin që janë dhënë në raport janë tashmë në zbatim si pjesë e politikave parandaluese të qeverisjes sonë, si një parakusht për suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e perceptimit të publikut”.

“Në këtë raport i jepet meritë Shqipërisë lidhur me ndërmarrjen e një sërë reformash nga qeveria të cilat ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit por që për shkak të bllokimeve herë pas here të politikës, zbatimi i tyre është vonuar. Në raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018 shprehet qartë se “me procesin e ri të vetimit të sistemit gjyqësor dhe tashmë me një kuadër institucional kundër korrupsionit gati të plotësuar, mbetet për të pare nëse Shqipëria do të përmirësojë pikësimin në të ardhmen”, theksoi Gjonaj.

Ndërkohë, ajo renditi disa prej reformave të rëndësishme të qeverisë, si Reforma në Drejtësi, reforma e deregullimit, reforma për qeverisjen elektronike dhe reforma e shërbimeve.

“Zbatimi i Reformës së Drejtësisë dhe pastrimi nga radhët e drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar ka dhënë rezultatet e saj pozitive dhe vlen për t’u përmendur se është dhe shembull për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllimin e vetëm për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efektiv, parakusht ky i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”, tha ministrja.

Vlerësime pozitive lidhur me rezultatet e arritura deri tani, sipas saj, “Shqipëria i ka marrë edhe në një sërë raportesh ndërkombëtare në të cilat vlerësohet më së shumti zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe masat e marra kundër korrupsionit”. /m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmbasadori rumun: Shqipëria arritje pozitive, mbështetje për integrimin në BE
Artikulli tjetërSokol Dedja emërohet zv.ministër për Europën dhe Punët e Jashtme