Ambasadori rumun: Shqipëria arritje pozitive, mbështetje për integrimin në BE

TIRANË, 30 janar /ATSH – I. Vata/ – “Rumania mbështet Shqipërinë që të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe do të mbajë të njëjtin pozicion mik”, deklaroi sot ambasadori i Rumanisë në Shqipërisë, Mircea Perpelea.

Në një prononcim për mediet nga Fieri, ambasadori i Rumanisë në Shqipërisë, Perpelea u shpreh se në këto gjashtë muaj të Presidencës së radhës së Këshillit të Bashkimit Europian, Rumania duhet të shikojë dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

Ambasadori i Rumanisë vlerësoi zhvillimet pozitive që ka arritur Shqipëria deri tani.

“Meqenëse i referohemi Shqipërisë, Rumania do të vazhdojë të mbajë të njëjtin pozicion si mike e Shqipërisë, sigurisht që është mbështetëse e zhvillimeve pozitive që ka patur Shqipëria deri tani dhe sigurisht është dhe mbështetëse e Shqipërisë që të jetë pjesë e Bashkimit Europian”, theksoi ai.

Në vijim ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Perpelea tha se Shqipëria duhet të vazhdojë Reformën në Drejtësi.

“Shqipëria të mbështetet te ndihma e Rumanisë, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojë me ato reforma dhe kërkesa që kanë ardhur nga BE, si në drejtësi, kulturë dhe antikorrupsion”, tha ambasadori. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.