Spiropali: Universiteti të garantojë mësimin

TIRANË, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ “Universiteti është autonom dhe duhet të garantojë procesin mësimor, ndërkohë që tani nuk kemi më një protestë të studentëve, por një karikaturë të protestës me angazhimin e drejtpërdrejtë të PD-së, LSI-së dhe vetë Sali Berishës”.

Kështu deklaroi sot Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ndërsa komunikoi qëndrimin e qeverisë lidhur me ankesat e panumërta të studentëve e prindërve për bllokimin absurd të mësimit.

“Në adresë të Kryeministrit, ministrave dhe të disa deputetëve, prej më shumë se dy javësh, vijnë mesazhe të panumërta nga studentë në pamundësi për të bërë mësim normalisht në fakultetet tyre. Për fat të keq, në këtë rast Kryeministri dhe qeveria nuk mund dot të bëjnë aq sa kërkojnë vajzat dhe djemtë e marrë peng në të drejtën e tyre”, tha Spiropali.

Spiropali tha se “tashmë nuk kemi më një protestë të studentëve, por ajo që ka mbetur është një karikaturë e protestës me angazhimin e drejtpërdrejtë të PD-së, LSI-së dhe vetë Sali Berishës, i cili është i angazhuar me gjithsej, së bashku me disa segmente të vogla brenda universitetit, të ushqyer ndër vite me tituj të pamerituar dhe punësim të paturpshëm, pikërisht aty ku kanë rrjetet e tyre të njohura nepotike, militante dhe klanore”.

Kjo, tha ajo, “është një shfaqje ekstreme e brutalitetit të një opozite që nuk ka asnjë ide, vizion dhe lidership dhe është gati të bëj mish për top këdo, për të shfryrë dëshpërimin e vetë të pangushëllueshëm”.

Universiteti është autonom, tha ajo, duke shtuar se “garantimi i procesit të mësimit është e drejtë dhe detyrë e universitetit”. Sipas Spiropalit, “ligji nuk i jep mundësi qeverisë të ndërhyjë me forcë për të zhbllokuar mjediset universitare, por nga ana tjetër ngarkon titullarin, rektorin, që të garantojë procesin mësimor dhe të kërkojë ndërhyrjen e policisë”.

“Me përjashtim të një rasti kur qeverisë i është kërkuar ndërhyrja nga administratori i universitetit, në një rast ekstrem, ne nuk kemi ndërhyrë në asnjë rast në administrimin e universitetit dhe këtë nuk e themi për t’u shfajësuar përpara studentëve, por për të bërë të qartë se qeverisë nuk i është kërkuar asnjëherë ndihma për të zhbllokuar mjediset universitare”, tha ajo.

Kuadri ligjor ekzistues e bën të pamundur që t’u gjendemi, tha Spiropali, ndërsa siguroi se “kemi vullnetin më të mirë për të dialoguar me aktorët dhe faktorët për gjetjen e një zgjidhje në të drejtë të studentëve”.

Për fatin më të keq, shtoi Spiropali, “tanimë nuk kemi të bëjmë më me protestë të studentëve, pasi ajo që ishte protesta e studentëve i hapi rrugë Paktit për Universitetin dhe një transformimi të vërtetë të jetës universitare dhe cilësisë së arsimit në vend”.

“Pakti përfshin jo vetëm ulje të tarifave, por mbi të gjitha një transformim të infrastrukturës universitare, ndërtimin e bibliotekës dixhitale, krijimin e një partneriteti mes ministrive dhe fakulteteve, projektin për punësimin e të rinjve me rezultatet më të mira në administratën publike, përkthimin e titujve botërorë dhe vendosjen e një standardi për titujt akademikë dhe arsimin në tërësi”, tha Spiropali.

Ajo shprehu vendosmërinë e qeverisë për ta bërë këtë dhe për të bërë për universitetin atë që nuk është bërë në 27 vite.

Për fat të mirë, tha Spiropali, “pjesa më e madhe e fakulteteve dhe universiteteve janë çliruar nga kthetrat e këtyre grupeve, ku përziehen studentë dhe jo studentë që kanë marrë peng hapësirat”.

“Kjo është kthyer në plagë, sidomos në Fakultetin e Drejtësisë dhe në një konflikt fizik. Ne i shprehim të gjithë solidaritetin prindërve dhe studentëve që duan mësim dhe i bëjmë thirrje rektorit për t’iu përgjigjur studentëve, ose nëse ka zgjidhje tjetër ta bëjë publike. Shqetësimi ynë ka të bëjë me pengmarrjen e Fakultetit të Drejtësisë dhe ndonjë fakulteti tjetër. Autonomia universitare që jep ligji parashikon jo vetëm liri, por edhe përgjegjësi dhe detyra që ata duhet t’i ushtrojnë deri në fund”, tha Spiropali. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.