Dekani Hoxha për ATSH: Juridiku fillon mësimin në orën 14:00

TIRANË, 29 janar /ATSH – I. Vata/ “Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës nesër fillon mësimin”, deklaroi sot dekani i Fakulteti të Drejtësisë, Artan Hoxha në një prononcim për ATSH.

Dekani Hoxha tha për ATSH se duke nisur nga dita e nesërme, ora 14:00, të gjithë studentët e Fakultetit të Drejtësisë, do të zhvillojnë mësimin në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

“Ka qene vullneti i shumicës së studentëve për t’ju kthyer auditoreve, për të rikuperuar ditët e humbura dhe për të shpëtuar vitin akademik”, deklaroi Hoxha për ATSH.

Pas një bllokimi për më shumë se dy javë të mësimit nga një grup individësh, më 30 janar rifillon mësimi për të gjithë studentët e Fakultetit të Drejtësisë, dhe ky ka qenë vendimi që është marrë sot nga dekanati dhe i komunikuar për ATSH nga drejtuesi i këtij fakulteti, Artan Hoxha. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.