TIRANË, 28 janar /ATSH/ – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon qytetarët mbi fruthin dhe masat parandaluese që janë marrë për izolimin e sëmundjes.
Fruthi infekton aparatin e frymëmarrjes dhe përhapet nëpërmjet spërklave nga hunda, goja ose nga fyti i personave të infektuar gjatë kollitjes, teshtitjes, si dhe nga kontakti i ngushtë personal, ose kontakti i drejtpërdrejtë me sekrecionet e infektuara të hundës ose të fytit.
Masat e ndërmara për mbrojtjen nga fruthi dhe ndaj epidemisë të shkaktuar prej tij janë masa të kontrollit spitalor dhe në qendra shëndetesore, si më poshtë:
– Izolimi në pavijone të caktuara në spitale dhe vetëizolimi për rastet ambulatore.
– Masa standarde të kontrollit të infeksionit dhe ato të transmetimit nëpërmjet ajrit.
– Përdorim i mjeteve të mbrojtjes personale, si maskave, etj nga personeli dhe pacientët kur shkojnë në ekzaminime.
– Vaksinim i personelit shëndetësor.
– Monitorim i gjendjes mbrojtëse të personelit ndaj fruthit.
– Gjurmim dhe vaksinim brenda 72 orëve i kontakteve.
– Vaksinim i disa grupeve të rrezikuara.
– Vendosja e survejancës aktive në të gjithë vendin.
– Takime dhe trajnime për mjekët e familjes, institucioneve parashkollore dhe personelin infermier.
– Monitorim dhe zbatim rigoroz të legjislacionit në lidhje me vaksinimin në institucionet parashkollore dhe shkollore si dhe institucionet shëndetësore. /a.a/j.p/
























