TIRANË, 24 janar /ATSH/ Studentët e Bachelor-it dhe Master-it si dhe pedagogët e tyre në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe atë të Ekonomisë të Tiranës edhe pasditen e sotme kanë vijuar rregullisht mësimin. Agjencia Telegrafike Shqiptare vëzhgoi nga afër procesin mësimor në këto dy fakultete të Tiranës, ku studentët jo vetëm u janë rikthyer auditoreve, por tashmë po përgatiten edhe për sezonin e parë të provimeve që vetë studentët thonë se është shtyrë nga janari për në mars.
Duke folur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, studentët thanë se procesi mësimor po vazhdon si zakonisht dhe auditoret janë të mbushura.
Dejvid Kurti, student i vitit të tretë bachelor në Fakultetin e Ekonomisë të Tiranës, dega Administrim Biznes u shpreh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se mësimi në këtë fakultet po zhvillohet nomalisht.
“Nuk ka as bojkot e as ngujim. Nga informacioni që unë kam, mësimi vazhdon edhe për Bachelorin dhe për studentët e masterit shkencor të cilët po zhvillojnë orë të plota mësimore”, tha ai.
Kurti tha se Dekanati i Fakultetit ka vendosur që sezoni i provimeve për semestrin e parë do të fillojë në datën 18 mars, nga data 20 janar që ishte parashikuar të fillonte. /j.p/





















