ATHINË, 24 janar /ATSH-AFP/ – Vota në Parlamentin grek mbi emrin e ri të Maqedonisë, që pritej të zhvillohej sot në mbrëmje, u shty për nesër në mesditë, sipas zyrës së presidentit të Parlamentit.
Sipas informacioneve të para, kjo shtyrje vjen për shkak të numrit të konsiderueshëm të deputetëve që kërkojnë të marrin fjalën para zhvillimit të këtij votimi thelbësor që synon t’i japë fund një mosmarrëveshje gati 30 vjeçare mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Sipas marrëveshjes, që quhet Marrëveshja e Prespës, Maqedonia do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut dhe është miratuar nga Parlamenti në Shkup.
Që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi duhet të miratohet gjithashtu edhe nga Parlamenti në Athinë. /G.S/












