TIRANË, 24 janar/ATSH/ – Bashkia e Tiranës, me rastin e 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të atit të Pavarësisë së Shqipërisë, nderoi sot figurën dhe kontributin e tij në hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar.
Pasi vendosi kurora me lule në shtatoren në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Italisë, organizoi një sërë aktivitetesh kushtuar posaçërisht Ismail Qemalit, në gjimnazin që mban emrin e tij, tashmë tërësisht i rikonstruar.
Pjesë e këtyre aktiviteteve u bë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo. Fillimisht ata mbollën disa pemë në oborrin e shkollës, si simbol i përjetësisë së emrit dhe veprës së Ismail Qemalit, ndërsa vizituan edhe një ekspozitë me foto dhe piktura të organizuar nga nxënësit e shkollës.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi rolin që luajti Ismail Qemali në historinë e Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë që ka kontributi edhe i një njeriu të vetëm në shoqëri. Ai shtoi se historia e Ismail Qemalit duhet t’i shërbejë shumë të rinjve edhe për të çuar përpara idetë e tyre, pavarësisht faktit nëse ato mund të kundërshtohen nga të tjerët.
Veliaj theksoi se sot mjetet e komunikimit dhe lëvizjes mund ta bëjnë një shqiptar shumë herë më të dobishëm për interesat e vendit, pavarësisht nëse mund të jetojë brenda kufijve apo mund të jetë diku në një vend tjetër sado larg. Kryebashkiaku kërkoi nga të rinjtë e këtij gjimnazi që të jenë bashkëpunues dhe të mbështesin njeri-tjetrin, pasi vetëm kështu mund të ecin përpara në jetë, por edhe duke kontribuar për vendin.
Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo vlerësoi Ismail Qemalin si një figurë që kishte reputacion të lartë edhe në Itali, ku dhe kaloi ditët e fundit të jetës, ndërsa falenderoi bashkinë e Tiranës që nëpërmjet punës po përmirëson kushtet në të gjitha shkollat e Tiranës.
“Motivi për të cilin jam këtu është se ky gjimnaz i shkëlqyer ka në gjirin e tij edhe një seksion dygjuhësh italo-shqiptar dhe mendojmë se kjo është një formulë tejet e rëndësishme për të pasuruar më tej formimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë, duke bërë të mundur që, krahas mësimit të një gjuhe të huaj, të mësojnë edhe lëndë të ndryshme në gjuhë të huaj, pra për të përjetuar nga afër një gjuhë të huaj dhe kulturën e saj”, tha Cutillo. /a.g/














