Ballina Flash

Qeveria: Implementimi i TC “Kosova e Re” në fazë serioze

PRISHTINË, 22 janar/ ATSH/ Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është raportuar për procesin e realizmit të projektit të kontratës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Bernhard Haider, përfaqësues i Contour Global për Kosovë ka informuar për punët e deritashme në këtë drejtim dhe ka theksuar se tashmë kanë përfunduar shumë nga proceset në përzgjedhjen e kompanisë projektuese dhe të financimit të projektit, që pritet të përfundojnë deri në mesin e muajit shkurt, ndërsa punët fillestare për ndërtimin e Termocentralit do të fillojnë në mars të këtij viti.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kjo kompani që të angazhojë sa më shumë kompani vendore në realizimin e ndërrimit të këtij termocentrali.

“Është lajm i mirë për Kosovën që projekti është në fazën më serioze tani dhe njoftimi që në muajin shkurt përcaktoheni për propozimet edhe teknike dhe financiare dhe në muajin mars edhe fillojnë punët e para. Kjo është dëshmia më e mirë. Ne kemi besim në ju si investitorë dhe jemi krenarë me kontratën që ka Kosova me ju. Falënderoj të gjitha institucionet e vendit, deputetët, partitë politike dhe Qeverinë para meje, Qeverinë “Mustafa”, sepse edhe ajo ka pasur kontribut në përgatitje të këtij projekti dhe sa i përket Kosovës, e mirëpresim faktin se po fillon me punë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj. /KosovaPress/ j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTransformim shërbimeve konsullore për shqiptarët jashtë vendit
Artikulli tjetërSHBA – Waymo (Google) hap një uzinë vetëm për automjete autonome