TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedim me studentët e Elbasanit, tha se konviktet në çdo bashki do i kalojmë universiteteve, të cilat edhe do i administrojnë.
Duke u ndalur tek çështja e konvikteve në Paktin për Universitetin, Kryeministri Rama vuri në dukje se kjo është formula më e thjeshtë, pasi universitetet mund të bëjnë kombinimin e nevojave për studentët.
“Ky projekt dhe bashkë me të edhe projektet e tjera që do hartojnë Universiteti i Elbasanit do futet në programin e Paktit për Universitetin me PPP”, – theksoi Rama.
Ai solli edhe shembullin e Universitetit të Arteve. “Ministria e Kulturës që ka në patronazh këtë universitet do të punojë për identifikimin e nevojave, do hartohen projektet dhe këto x projekte do ofrohen për sipërmarrjet që do shprehen të gatshme të vijnë. Ne kemi dhënë hapësirën fiskale, ashtu sikundër dhe shkollat në bashkinë e Tiranës ndërtohen nga sipërmarrja”, tha Rama. /j.p/






















