Ballina Aktualitet

Balluku: Hapim dyert për studentët e Inxhinierisë

TIRANË, 18 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapë dyert për studentët që ata të zhvillojnë praktikat mësimore, ndërsa do të realizohet edhe punësimi i studentëve ekselentë.

Kështu deklaroi sot, ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, duke folur në takimin e organizuar për prezantimin e Paktit për Universitetin.

Duke folur për procesin e patronazhimit të universiteteve nga ministritë, Balluku tha se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë në patronazh Universitetin Politeknik të Tiranës.

“Ne evidentuam problematikat e ngritura dhe mundësitë dhe zgjidhjet që mund të ofroheshin. Konkretisht në Universitetin e Inxhinierisë së Ndërtimit është një ndërtesë që ndodhet pas godinës së fakulteteve, që mund të shndërrohet në një ndërtesë multimodale. Aty do të ketë edhe disa nga zyrat e arkitekturës, private, që do të zhvillojnë projektet e tyre, por do t’i jepet një pjesë universitetit, e cila mund të përdoret nga studentët si laborator për praktikat”, – tha ajo.

Një tjetër çështje, sipas Ballukut, ka të bëjë me praktikat e studentëve, të cilat janë shumë të rëndësishme për studentët pasi kanë kreditet e tyre.

Balluku shtoi se Ministria e Industrisë dhe Energjetikës, ka marrë përsipër me numra të saktë për të realizuar praktikat e studentëve.

“Ministria ka marrë në patronazh që të përmirësojmë financat e universitetit përmes bashkëpunimit me Ministrinë. Kjo mund të bëhet përmes kërkimeve studimore, konsulencës që fakulteti mund të na ofrojë dhe gjithçka që ju mund të prodhoni në shërbim të Ministrisë”, – deklaroi ministrja. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – ”Die Welt” vlerëson politikat e Ciprasit për rimëkëmbjen ekonomike
Artikulli tjetërGjonaj: Dikasteri i Drejtësisë, të gjitha vendet vakante për punësimin e studentëve