TIRANË, 16 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj hodhi sërish sot poshtë akuzat e ngritura lidhur me procesin e rekrutimeve në Policinë e Burgjeve.
Gjatë një konference për shtyp, Gjonaj sqaroi çështjen e procedurave të testimit të punonjësve të rinj në Policinë e Burgjeve, një çështje që e konsideroi shumë të rëndësishme dhe për të cilën u shpreh e vendosur ta mbroj deri në fund me përgjegjësinë maksimale”.
Gjonaj nënvizoi se “ky ka qenë dhe mbetet procesi më meritokratik, transparent dhe cilësor që është kryer ndonjëherë në sistemin penitenciar, në historinë e tij”.
“Dje në mbrëmje, ‘Zëri i Amerikës’ nuk mori në konsideratë qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe as argumentet që unë prezantova lidhur me këtë proces, por rikonfirmoi me deklaratë, qasjen totalisht të gabuar lidhur me të dhënat e dosjes hetimore. U shpreh për prova që gjendeshin në dosjen hetimore, por pa marrë parasysh që ato prova janë indicie të cilat do t’i japin mundësinë prokurorisë për të hetuar më tej lidhur nga ato çfarë kanë dalë nga përgjimet. Ato nuk kanë të bëjnë me procesin e rekrutimit të punonjësve të Policisë së Burgjeve, testim dhe procedurë e kryer në prill 2018”, tha Gjonaj.
Do të ishte korrekte, vijoi ajo, që “Zëri i Amerikës” në bazë të këtyre indicieve të kërkonte të verifikonte dosjen e procedurave të testimit të Policisë së Burgjeve, për të parë nëse interesimi legjitim i deputetëve për çështje të caktuara të personelit të Policisë së Burgjeve është përkthyer apo jo në shkelje të të drejtave të atyre që kanë marrë pjesë në testim dhe që u takonte vendi sipas ligjit dhe meritës së tyre”.
Pavarësisht nga ajo se çfarë kanë biseduar personat përkatës në ato biseda të përgjuara, Gjonaj garantoi se “interesimi i deputetëve nuk ka asnjë lidhje me procesin apo me rezultatet e rekrutimit të punonjësve të Policisë së Burgjeve”.
Ministrja nënvizoi se “procesi ka qenë tërësisht transparent dhe i hapur për të gjithë qytetarët e interesuar”.
“Procedurat janë zbatuar në mënyrën më të përpiktë dhe çdo hap i ndjekur është lehtësisht i verifikueshëm edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 8 muaj nga ky proces. Çdo element i këtij procesi, që nga marrëveshja e nënshkruar midis dy ministrave, akteve normuese në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë për zhvillimin e testimit teorik dhe atij fizik, rezultatet e secilit konkurrent dhe deri te urdhrat e emërimit në detyrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sipas rezultateve të arritura, janë në një dosje të plotë dhe në dispozicion të medias e publikut”, tha Gjonaj.
Ajo u shpreh se “jemi të hapur për këdo që dëshiron të verifikojë dosjen e procesit të rekrutimit, apo çdo të dhënë tjetër që mendon se do t’i shërbente nxjerrjes të së vërtetës dhe jo baltosjes së punës së mirë që kemi kryer deri tani”. /a.g/




















