TIRANË, 14 janar/ATSH/ – Pas mbledhjes së zhvilluar këtë të hënë, Senati i Universitetit të Tiranës ka dalë me një deklaratë publike ku u kërkon studentëve të Universitetit të Tiranës ndjekjen e procesit mësimor.
Senati i Universitetit të Tiranës deklaron se “garanton të drejtën e studentëve dhe personelit akademik për zhvillimin normal të procesit mësimor, duke u kërkuar studentëve të Universitetit të Tiranës ndjekjen e procesit mësimor dhe duke respektuar njëkohësisht edhe të drejtën e tyre për të protestuar. Garanton plotësimin e programit mësimor për vitin 2018-2019, nëpërmjet zëvendësimit mësimore të parealizuara për shkak të protestës, duke përshtatur strukturën akademike për vitit 2018-2019”.
Në deklaratën gjithashtu theksohet se “Senati do të garantojë edhe shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave dhe shtyrjen e procedurave të marrjes së dokumentacionit për përfitim burse dhe të studentëve të kategorive të veçanta”.
“Garanton shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave dhe shtyrjen e procedurave të marrjes së dokumentacionit për përfitim burse dhe të studentëve të kategorive të veçanta. Ngritjen e një grupi pune me anëtarë nga Senati Akademik për të koordinuar vlerësimin lidhur me aktet nënligjore të miratuara, i cili i paraqet materialet deri më 22 janar”, – sqarohet më tej në deklaratën e Universitetit të Tiranës.
/Zina Tosku/ /a.g/














