Pukë/ Punë intensive për mbajtjen hapur të rrugëve, nesër rinis mësimi

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta gjatë këtyre ditëve kanë krijuar vështirësi për shumë banorë të bashkisë Pukë, ndërsa për përballimin e kësaj situate janë angazhuar në terren 6 mjete dhe 50 punonjës të Bashkisë.

Aktualisht, mjeti borëpastrues i Emergjencave Civile, i ardhur në dispozicion të bashkisë, po punon për mbajtjen hapur të rrugës së Qerretit, e cila bllokohet disa herë në ditë si pasojë e erës.

Një tjetër mjet po punon në hapjen e rrugës në lagjen Mehaj, ndërsa një mjet fadromë punon në njësinë administrative Gjegjan.

Bashkia ka siguruar po ashtu dhe një tjetër mjet që pritet të angazhohet në hapjen e rrugës drejt fshatit Bushat në njësinë administrative Qelëz.

Furnizimi me ujë dhe energji elektrike vijon normalisht në të gjithë territorin e bashkisë Pukë.

Shtabi i Emergjencave pranë bashkisë ka vijuar punën me qëllim koordinimin e situatës së krijuar.

Në mbledhjen e fundit të shtabit të emergjencave pranë bashkisë, është vendosur nesër të hapen shkollat në gjithë territorin e kësaj bashkie, ndërkohë që është siguruar ngrohje në çdo shkollë./m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.