Vijojnë debatet për mosdekretimin e Cakajt

TIRANË, 11 janar/ATSH/ “Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, në vijim të debatit për mosdekretimin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Sipas Presidentit, “interesi kombëtar dhe Shqipëria janë të parat”.

Meta shprehet se “nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili shprehet se “Presidenti nuk di si të dalë nga gropa që i hapi vetes”.

“Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”, u shpreh Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.