Ballina Aktualitet

Ilir Meta e mori certifikatën e sigurisë si Kryetar Kuvendi në më pak se 24 orë

TIRANE, 11 janar/ATSH-Maela Marini/- “Ilir Meta, në vitin 2016, e ka marrë certifikatën e sigurisë nga DSIK brenda më pak se disa orësh kur ishte Kryetar i Kuvendit”.

Kështu deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Zonë e lirë“. Në këtë mënyrë Kryeministri iu përgjigj Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili sot kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për pajisjen brenda 24 orëve me certifikatë sigurie të Gent Cakaj, i propozuar nga Kryeministri në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Certifikata e sigurisë është një dokument që i jepet një individi që duhet të vihet në posedim të një informacioni të klasifikuar. Nuk ka nevojë të kesh certifikatën e sigurisë nëse nuk ke në dispozicion një informacion të tillë“, tha Rama.

Sipas tij, “Ilir Meta ka futur një praktikë të panjohur më parë në historinë e presidencës, në shkelje të plotë të ligjit dhe Kushtetutës që e ndalon Presidentin e Republikës të ketë opinione, të cilat të përcaktojnë nëse ai dekreton apo jo një ministër”.

Sipas Ramës, “Ilir Meta në mënyrë të përsëritur po sfidon Kushtetutën”.

“Kujtoj se nëse ka pasur një moment dhëmbë për shëmbë politik mes Presidentit të Republikës dhe një ministri është konflikti mes Bujar Nishanit dhe Fatmir Xhafës. Bujar Nishani, një president qartësisht partiak, kur Fatmir Xhafa u propozua nga unë si ministër dhe kur PD tha ‘mbi trupat tanë hynë Xhafa në zyrë’, Presidenti nuk la fjalë pa thënë për Xhafën. Por në fund tha Kushtetuta më imponon ta firmos zgjedhjen e tij”, shtoi Rama.

Ndërkohë sipas tij, Ilir Meta në mënyrë të përsëritur po sfidon Kushtetutën. “Kushtetuta nuk është gjë teknike, por është libri i bashkëjetesës sonë. Ilir Meta ka vendosur t’i thotë Kushtetutës: jam unë pa je ti”, tha Rama./a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQendra Kombëtare e Urgjencës/ 8 misione me helikopter dhe 2891 me ambulanca
Artikulli tjetërSHBA  – ”General Motors” hedh në treg automjete me kosto të ulët për vendet në zhvillim