Ballina Aktualitet

Qarku Korçë/ Akset rrugore ku rekomandohet përdorimi i zinxhirëve

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Të gjitha akset rrugore nacionale në qarkun e Korçës janë të kalueshme për automjetet, ndërsa në disa prej tyre rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

Duke bërë një pasqyrim të situatës aktuale të qarkullimit në të gjitha akset rrugore nacionale dhe rurale, Prefektura e këtij qarku njofton se konkretisht në aksin Qafë-Thanë – Kapshticë kalueshmëria e automjeteve është normale.

Ndërsa në aksin Korçë-Ersekë kalueshmëria në pjesën e Qafës së Qarrit rekomandohet me zinxhirë. Po ashtu edhe aksi Ersekë – Çarshovë është i hapur, por në pjesën Barmash – Radanj rekomandohet lëvizja me zinxhirë.

Aksi Korçë – Voskopojë është i kalueshëm, por në disa segmente rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Rruga Maliq – Lozhan – Grabovë është e kalueshme, rruga Zëmblak – Goricë ëshë e hapur dhe pjesërisht kalohet me zinxhirë. Ndërsa aksi Boboshticë – Dardhë është i hapur, por kalohet me zinxhirë.

Sa i takon rrugëve rurale, rruga Voskopojë – Lekas është e hapur dhe kalohet me zinxhirë.

Po ashtu, edhe segmenti nga Ura e Floqit – Vithkuq – Shtyllë është i hapur dhe kalohet pjesërisht me zinxhirë.

Në Pogradec rrugët rurale janë të hapura, me përjashtim të rrugës Bishnicë – Velcan, që momentalisht është e bllokuar. Prefektura njofton se janë marrë të gjitha masat për hapjen e saj.

Lidhur me furnizimin me energji elektrike, Prefektura Korçë njofton se nuk ka asnjë problem, me përjashtim të disa fshatrave në zonën e Mokrës, të cilat janë pa energji dhe ku po punohet për riparimin e defekteve./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShtohen shërbimet për drejtuesit e mjeteve në vend
Artikulli tjetërMAKINA – “Mercedes” marka luksoze më e preferuar e 2018-ës