TIRANË, 31 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Ministri në detyrë i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi sot se ekonomia shqiptare për herë të parë në tetë vite kalon nivelin mbi 4 %.
Ministri Ahmetaj thekson se në tremujorin e tretë ekonomia kapi shifrat 4,48 %, ndërsa në vitin 2013 ishte në nivelin – 2,46 %.
“Ekonomia që shpërblen qytetarët! Tremujori i tretë 2018 u rrit me 4,48 %. Në tremujori e tretë 2013 ekonomia ishte në nivelin – 2,46 %, i krahasueshëm vetëm me vitin 1997. Rritja e këtij tremujori, është shifra më domethënëse e transformimit, kthesës së madhe nga kriza e paralajmëruar e 2013, ringritjes ekonomike dhe konsolidimit që vazhdon!” – shprehet ai.
Po ashtu Ahmetaj thekson se për herë të parë ekonomia kapi shifrën 4 %.
“Rritja ekonomike e 9-mujorit 2018 kaloi për herë të parë në tetë vitet e fundit, nivelin mbi 4 %. Lajmi tjetër i mirë është konsumi, që vazhdon trajektoren e vet rritëse, tashmë për të trembëdhjetin tremujor radhazi, duke mbetur një nga kontribuesit kryesorë të rritjes ekonomike”, shprehet ministri Ahmetaj.
Më tej Ahmetaj shton se “shifrat e rritjes ekonomike përgjatë pesë viteve të fundit, janë dëshmia më e mirë se si ekonomia e vendit po i shpërblen dita-ditës qytetarët shqiptarë dhe sakrificat e vështira që u deshën për të mbërritur këtu”. /r.e/e.caushi/






















