TIRANË, 31 dhjetor 2019 /ATSH/ – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në prag të ndërrimit të viteve, theksoi se 2018 ishte një nga vitet më të vështira për familjet shqiptare dhe për ekonominë e tyre.
Kryemadhi tha se viti 2018, ishte një vit dështimi edhe për aspiratën e shqiptarëve drejt Bashkimit Europian.
Ajo renditi si argument, mungesën e dialogut politik, korrupsionin dhe kapjen e qeverisë nga krimi i organizuar.
Kryemadhi kujton se ky vit do te mbahet mend nga shqiptarët, si viti i protestave.
“Qershia mbi tortë, ishte protesta studentore e cila nuk erdhi vetëm si rezultat i reformës së dështuar në arsim të Edi Ramës. Por erdhi si rezultat i varfërisë së familjeve të studentëve, erdhi si rezultat i mungesës së vendeve të punës”, theksoi Kryemadhi.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, thekson se edhe qeverisja vendore te kryeqytetit nuk ishte në lartësinë e duhur.
“2018 do të mbahet mend për bashkinë e Tiranës, për 100 fishimin e lejeve të kullave, si një bashki që gllabëron hapësirat e gjelbra të qytetarëve dhe ndërton kulla për oligarkët apo për krimin dhe bandat që të shërbejë si instrument për pastrimin e parave të drogës”, – theksoi ajo.
Kryemadhi uron që shqiptarët të kenë një qeveri tjetër në 2019.
“Uroj që shqiptarët në 2019-ën të kenë një qeveri pa Edi Ramën, të kenë një qeveri të çliruar nga krimi dhe bandat e krimit të organizuar. Gëzuar shqiptarë kudo që jeni, në çdo vend të botës. Të bashkohemi të gjithë së bashku që në 2019 t’i kthejmë fytyrën Shqipërisë, t`i kthejmë dinjitetin, t`i kthejmë integritetin. Faleminderit! Gëzuar dhe për shumë vjet” – përfundoi Kryemadhi. /o.l/e.caushi/























