TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ – Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie të veçantë, ekipin e basketbollit “Partizani” për meshkuj të vitit 1968 me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për përfaqësimin e shkëlqyer të basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare”.
Ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Presidenti Meta vlerësoi ish-basketbollistin Astrit Greva; me titullin “Mjeshtër i Madh” Dodan Përmeti dhe Spartak Boshnjaku me titullin “Naim Frashëri”. Kurse Edmond Mojës dhe Guxim Bekteshit iu akordua nga Presidenti Meta titulli “Për merita të veçanta civile”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta theksoi se “është një lumturi për mua që të shpreh mirënjohjen më të thellë institucionale, por njëkohësisht edhe personale dhe njerëzore për këtë “Partizan” të artë të vitit 1968″.
“Këtë ceremoni vendosa ta bënim tani dhe të ishte e fundit për këtë vit, për Vitin e Skënderbeut në kuadër të nderimeve që si Institucion i Presidentit të Republikës kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme për të vlerësuar dhe për të shprehur mirënjohjen për ato arritje të jashtëzakonshme guximtare të ekipeve dhe të sportistëve më të mirë të Shqipërisë deri më sot. Skënderbeu është ai që ka përcaktuar identitetin tonë europian.
Medaljet që mbajnë emrin e Skënderbeut padyshim që në radhë të parë u takojnë atyre që kanë bërë më shumë që Shqipëria të njihej në Europë në periudhën për fat të keq më të vështirë të izolimit të saj nga e gjithë bota”, – theksoi Meta.
Sipas tij, ajo që ka ndodhur në vitin 1968 është vërtetë një arritje e jashtëzakonshme historike, po të kemi parasysh faktin që ishte hera e parë që “Partizani” lejohej të merrte pjesë në Kupat e Europës.
“Për herë të parë u ndesh me gjigantët e Italisë, por jo vetëm të Italisë, me gjigantët e Amerikës, të Argjentinës dhe me një trajner që kishte një emër aq të madh si Stankoviç, i cili më pas për disa dekada drejtoi gjithë basketbollin europian”, – u shpreh Meta, duke shtuar se ka qenë një sfidë jashtëzakonisht e vështirë dhe këtë më mirë e dinë vetë protagonistët e asaj ndeshjeje.
Meta vuri në dukje se “kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme, sepse vendosi themelet për disa dekada për afirmimin jo vetëm të “Partizanit”, por edhe të basketbollit tonë në arenën europiane dhe në atë ndërkombëtare”.
“Këtë besoj e di më mirë se të gjithë ne trajneri ynë i dashur, Astrit Greva, i cili në atë kohë ka qenë jashtëzakonisht i ri bashkë edhe me trajnerin tjetër, i cili ka qenë ndihmësi i tij, profesor Njazi Lleshi, ashtu sikurse e di shumë mirë edhe ekipi që ka shkëlqyer në atë ndeshje dhe padyshim që e di shumë mirë edhe Agim Fagu, legjenda e basketbollit tonë, të cilin ne patëm nderin që në 70-vjetorin e lindjes së tij ta nderonim këtu me Urdhrin më të lartë, atë të Skënderbeut, por padyshim që e di mirë i gjithë ekipi”, – nënvizoi Presidenti.
Një nga qëllimet e kësaj ceremonie, shtoi ai, është pikërisht për të rikthyer vëmendjen, shpresën dhe besimin te basketbolli, te volejbolli, te shumë sporte të tjera ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe ku me pak investime dhe me shumë pason përsëri mund të realizohen ëndrra të mëdha, që i japin një tjetër vend të nderuar Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Pas marrjes së dekoratës në emër të asaj skuadre legjenda e basketbollit shqiptar, Agim Fagu, falënderoi Presidentin dhe përcolli mirënjohjen e të gjithë brezave të basketbollistëve të “Partizanit” që për 7 dekada bënë historinë më të bukur të sportit të basketbollit në Shqipëri.
“Për këtë arsye ata ishin frymëzues dhe edukatorë të brezit të të rinjve shqiptarë, sepse ata i dhanë atij brezi më shumë bukuri, më shumë dashuri, i dhanë më shumë kënaqësi dhe për këtë arsye të rinjtë e asaj kohe i quajtën ata idhujt e tyre”, – tha Fagu.
Duke vlerësuar ekipin e basketbollit, punën dhe kontributin e tyre, shtoi Fagu, unë besoj se Ju në këtë rast i dërgoni një mesazh direkt të gjithë atyre që drejtojnë sportin shqiptar, që për mëse 25 vjet lëngon në shpresën e fatit, që nuk duket gjëkundi të afrohet ende.
Ndërsa, Shpresa Bekteshi, e motra e Guxim Bekteshit, pasi tërhoqi titullin “Për Merita të Veçanta Civile” në emër të vëllait të saj u shpreh se “Ju falënderoj Zoti President, jo vetëm për vëllanë tim, por për të gjithë këtë plejadë sportistësh të jashtëzakonshëm që kanë qenë idhujt e kohës sonë”./k.s/e.caushi/























