TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ – Qeveria miratoi sot një vendim të rëndësishëm për krijimin e fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale nëpërmjet subvencionimit, që kap shifrat e dyqind e dyzet e nëntë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë mijë lekë, për periudhën 2019-2021.
Në vendim sqarohet se vlera e fondit për vitin e parë të jetë gjashtëdhjetë e një milionë e gjashtëqind mijë lekë, për vitin e dytë, tetëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e njëzet mijë lekë dhe për vitin e tretë, njëqind e pesë milionë e dyqind e dyzet mijë lekë.
Fondi në mbështetje të ndërmarrjeve sociale do të subvencionojë veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale, vendet e reja të punës të krijuara për punësimin e individëve nga grupet e pafavorizuara, sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që u përkasin grupeve të pafavorizuara.
Në vendim thuhet se ky fondi që do të mbështesë ndërmarrjet sociale financohet nga buxheti i shtetit si dhe nga burime të tjera financimi si: donatorë, institucione financiare ndërkombëtare etj. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” ndërsa ngarkohet ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të nxjerrë udhëzimin për kriteret e dhënies dhe mekanizmin e monitorimit të ndihmës shtetërore, si dhe parashikimin e sanksioneve, në rast të mospërmbushjes së kërkesave e detyrimeve nga ndërmarrjet sociale.
Por, çfarë janë ndërmarrjet sociale dhe ku fokusohen ato?
Ligji mbi ndërmarrjet sociale ka ardhur si pasojë e diskutimeve të shumta dhe studimeve të shoqërisë civile, të cilat kanë parë të nevojshme nxitjen e ndërmarrjeve sociale.
Qëllimi i këtyre ndërmarrjeve sociale është punësimi i personave që janë të pafovorizuar në tregun e punës. Kategori si ndihma ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, jetimët, gratë viktima të dhunës dhe trafikimit etj.
Sa i përket formës juridike të ndërmarrjes sociale, parashikohet të jetë një organizatë jofitimprurëse, por struktura e ndërmarrjes është vendimmarrëse dhe ekzekutive. Pjesë e këtyre ndërmarrjeve janë edhe punonjësit vullnetarë. /z.tosku/r.e/























