Besimtarët katolikë e ortodoksë festojnë Krishtlindjet

TIRANË, 25 Dhjetor/ATSH/- Besimtarë katolikë dhe ortodoksë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjet, lindjen e Jezu Krishtit.

Në katedralen e “Shën Palit”, në kryeqytet besimtarët katolikë kremtuan këtë ditë të shënuar ku mesha u drejtua nga Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.

“Me mishërimin e birit të vet zhduku errësirat e botës dhe lindjen e tij të lume e shndriti këtë natë. Ai zhduktë prej jush errësirat e veseve dhe ndriçoftë zemrat tuaja me dritën e virtyteve.Hyji ju mbushtë dhe ju me gëzimin e vet dhe ju bëftë lajmëtarë të ungjillit të vet.Ju pajistë me dhuratën e paqes së vet dhe të vullnetit të mirë.Gëzuar Krishtlindjet!,” u shpreh ai.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvillua mesha për besimtarët dhe po drejtohet nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Ai iu drejtua besimtarëve me urimin që Viti i Ri 2019 të jetë i bekuar dhe të ketë siguri e paqe.

“Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë përplot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës”, tha Janullatos.

25 dhjetori është dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën.
Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës

Betlehemi është qyteti i lindjes së Krishtit para dy mijë vjetësh, i cili erdhi në jetë në një kasolle.

Në shërbesat që i paraprijnë Krishtlindjes lexohen pjesët e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15). Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).

Festa e Krishtlindjes quhet dhe Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri e Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve.

Prandaj në Kishë këndohet: Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjt, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetshmi Zot.

Festa e Krishtlindjes është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.