Investimet në infrastrukturë, banorët e Kombinatit: Është rritur vlera e pronës

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ – Blloku i banesave pranë shkollës “Musine Kokalari” në Kombinat në Tiranë, është rikonstruktuar.

Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë në këtë bllok banimi duke shtruar rrugët me asfalt, vendosur sinjalistikë vertikale e horizontale, ka shtuar gjelbërimin, ka vendosur stola dhe ndriçim.

Qytetaret e Kombinatit e kanë mirëpritur këtë përmirësim të infrastrukturës. Ata thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se ky investim ka rritur vlerën e pronës dhe banesave që jepen me qira.

Një zonjë e moshuar tha se “këtu ka qenë një tmerr i vërtetë, ka ndryshuar çdo gjë, është bërë një mrekulli, më bukur nuk ka ku të shkojë. Kishim frike të dilnim nga shtëpia sepse çfarë nuk gjeje këtu. Tani duhet vetëm ta mirëmbajmë, ta pastrojmë vetë, ta mirëmbajmë ambientin pastër”.

Kjo zonjë thekson se tashmë është rritur edhe vlera e pronave. “Është rritur edhe vlera e shtëpive që jepen me qira. Me përpara një banese jepej mesatarisht 80 mijë lek (të vjetra) në muaj, tani ka shkuar më shumë se 100 mijë lek në muaj. Ka shumë kërkesa, vijnë shumë njerëz të kërkojnë shtëpi me qira. Tani kjo zonë është qytetëruar, tani e ndjejmë veten më qytetarë”.

Ndërkohë një tjetër banori i zonës shton se ka ndryshuar gjithçka. “Kjo është totalisht ndryshe. Unë personalisht jam shumë i kënaqur nga investimi që është bërë këtu. Pavarsisht se si do shkojë në të ardhmen mirëmbajtja, por falë këtij investimi këtu është shumë, shumë, më ndryshe. Praktikisht kjo zona ka qenë krejt ndryshe, ka qenë me bahçe private, me gardhe, kurse tani është ndryshe si e shikoni dhe ju, është komplet tjetër gjë. Tani mua më shijon më shumë qëndrimi në këtë hapësirë të përbashkët në diell te ato stolat e bukur sesa kur ishte baltë rrëmujë dhe bace, kjo është një diferencë shumë e madhe”. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.