Kosovë, Kuvendi mblidhet për buxhetin 2019 

PRISHTINË, 21 dhjetor /ATSH / – Votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, është sot në axhendën e Kuvendit Kosovar, mes 44 pikave të paparfunduara nga seancat e kaluara.

Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, u debatua gjatë dy ditëve, në 6 e 7 nëntor në një seancë të veçantë plenare të Kuvendit Kosovar, me axhendë 11 pikëshe, por pas përfundimt të debatit në mbrëmje për votim nuk kishte kuorum.

Në Buxhetin e shtetit të Kosovës të vitit 2019 të hyrat e përgjithshme pritet të jenë 2 miliardë e 370 milionë euro, ndërsa shpenzimet në vlerë 2 miliardë e 365 milionë.

Në debatin në Kuvend, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019 do të sigurojë një rritje ekonomike prej 4,7%, ndërsa theksoi se projektligji i propozuar është hartuar në bashkëpunim të plotë me FMN-në.

Sipas deklaratave nga opozita me paralajmërime votimi kundër, rritja ekonomike e paraparë në projektligj paraqet dështimin e zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas opozitës, qeveria në fillim të mandatit të saj rritjen ekonomike e proklamonte deri në 10%.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e miratimit në 26 tetor ka theksuar se, Projektligji parasheh një rritje të konsiderueshme të të hyrave buxhetore që reflekton qëndrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Gjatë prezantimit të Projektligjit, po ashtu, është theksuar se përgatitjet e propozimit të Buxhetit për vitin 2019 janë zhvilluar në pajtim me legjislacionin dhe janë në përputhje me të gjithë parametrat financiarë dhe ekonomikë të Kosovës.

Në Projektligj parashihet rritje e pensioneve bazë prej 20 për qind si dhe atyre të kontributdhënësve prej 15 për qind, kurse do të rritet buxheti për prioritetet e qeverisë për vitin 2019, siç janë mbrojtja, rendi, shëndetësia, arsimi dhe mjedisi.

Para një viti, në 22 dhjetor, Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të përfunduar në mbrëmje shqyrtoi për herë të dytë dhe e miratoi Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, i cili parashihte të ardhura të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.