Bylykbashi në Kuvend: T’i hapim rrugë sot vetingut në politikë

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ftoi sot mazhorancën që të votojë vetingun në politikë.

Duke iu referuar opinionit të Komisionit të Venecias, Bylykbashi tha se “Venecia u shpreh se është i domosdoshëm dhe legjitim vetingu në politikë për t’i hapur rrugë këtij procesi njëlloj si me dekriminalizimin”.

Amendamentet e PD-së, tha Bylykbashi, synojnë mbylljen e një unaze ku politikanët i hapin derën nga brenda kriminelëve. Nuk mund t’i bëni veting vetëm gjyqtarit, tha Bylykbashi, duke shtuar se “nga ana tjetër janë politikanët që i hapin portën kriminelëve”.

“Në parlamentin e kaluar kishim 9 deputetë të certifikuar nga ligji i dekriminalizimit si dhe një kryetar bashkie. Po ashtu, me ligjin e dekriminalizimit janë larguar 350 zyrtarë nga organet shtetërore, si të lidhur me krimin dhe kjo e faktuar me vendim gjykate”, tha Bylykbashi, duke nënvizuar faktin se sa i rëndësishëm është vetingu i politikanëve.

Sipas Bylykbashit, “këto amendamente janë të domosdoshme dhe do të shoqërohen patjetër me ligjin e detajuar që do të jetë konform udhëzimeve të Komisionit të Venecias”.

Komisioni i Venecias, tha Bylykbashi, konfirmon gatishmërinë e tij që të vijë e të na asistojë për të hartuar ligjin.

“Pranoni asistencën e Komisionit të Venecias dhe uluni në dialog konstruktiv me ne. Sot t’i hapim rrugën ligjit për vetingut të politikanëve, sepse ndryshe studentët do ta bëjnë vetingun e politikanëve me forma krejt të tjera”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.