TIRANË, 21 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot në Kuvend se “opozita ka frikë nga Reforma në Drejtësi”.
Gjylameti replikoi me deputetin e PD-së Sali Berisha, i cili u shpreh se “deputetët e PS-së janë skllevër të krimit ose janë shtylla të krimit”.
“Normalisht këtu do të duhej që me moshën që ka, Sali Berisha të kishte reflektuar për çfarë fatkeqësie i ka bërë këtij vendi dhe të kërkonte falje. Unë nuk kam asnjë merak për asnjë nga familjarët e mi, as për bashkëshortin, as për fëmijën tim, sikundër keni ju shumë merak për fëmijët tuaj. Nuk kam merak as për ndonjë kunat”, iu drejtua Gjylameti Berishës.
Frika që ke sot, vijoi ajo duke iu drejtuar Berishës, “të duket në çdo moment dhe në çdo fjalë që nxjerr nga goja”.
“Një gojë e ligë që e ka mbytur këtë vend. Je fatkeqësia e këtij vendi. Sot duhet të reflektoje e të thoje se kam bërë gabime. Sot po vendoset një reformë në drejtësi, që do të merret me ty, me Lulzimin apo me ndonjë koleg tjetër të lidhur me krimin dhe me sekuestrimin e pasurisë që ke vendosur ti dhe kushdo tjetër në krahun tënd ndër vite”, tha Gjylameti.
Eksperienca ka treguar, tha Gjylameti, se “çdo nismë që opozita ka marrë këto 6 vitet e fundit është si një rrugëdalje apo për të fshehur zullumet në 8 vitet në pushtet”.
“Mos vallë edhe këtë nismë, ashtu sikurse përdori protestën e studentëve për të shpëtuar mandatet, opozita e do për të anashkaluar organet e reja të drejtësisë. Nisma do sillte mundësi për dublim në mënyrë të papërshtatshme”, tha Gjylameti.
Sipas saj “nisma e opozitës mund të japë efektin e kundërt dhe mund të instrumentalizohet politikisht”. “Kush do t’i hetojë politikanët, Kuvendi apo ndonjë mekanizëm tjetër që në vetvete mund të përdoret politikisht? I vetmi organ që mund ta bëj këtë është sistemi gjyqësor”, tha Gjylameti.
Sipas saj, “kjo mazhorancë ka ashpërsuar dënimet ndaj korrupsionit, si dhe ka krijuar mekanizmat si SPAK-u dhe Byroja e Hetimit, që janë larg çdo ndikimi politik të mundshëm”.
“Këto institucione vlerësojnë lidhjet me krimin por edhe pasurinë dhe të ardhurat e politikanëve. Ndërsa opozita thotë vetëm politikanët jashtë politikës, thjesht të lënë mandatet. Ne jemi për tjetër gjë, gjithkush që është i lidhur me krimin duhet të përgjigjet para drejtësisë. Lulzim Basha ka frikë të përballet me drejtësinë e vërtetë. Nisma e opozitës do të thotë që politika të hetojë vetveten, duke anashkaluar institucionet e posaçme”, – tha Gjylameti, duke theksuar se nisma e opozitës nuk përfshin familjarët.
Duke folur për qëndrimin e mazhorancës për këtë çështje, ajo u shpreh se “drejtësia e pavarur dhe e pandikuar nga politika garanton vetingun në politikë”.
“Nisma e PD-së nuk është e qartë. Propozimi i PD-së është t’i zësh rrugën Reformës në Drejtësi. Ne si mazhorancë jemi gati për veting të vërtetë dhe Reforma në Drejtësi e garanton atë 100%”, – nënvizoi Gjylameti./a.g/






















