Ballina Flash

FOTO – “Njeriu i Vitit” në sofrën beratase 2019

TIRANE, 21 dhjetor /ATSH/ – Bashkia e Beratit organizoi aktivitetin “SOFRA BERATASE 2019”. Sofra beratase mirëpriti peronalitete me kontribut të spikatur në jetën e qytetit gjatë vitit 2018, si dhe personalitete të rëndësishme të cilat i përkasin jetës publike, biznesit si dhe organizatave jofitimprurëse.

Gjatë aktivitetit u shpërndanë çmimet “Njeriu i vitit 2018” për Lejla Hazdic, Simon Vrusho dhe Myrto Uzuni.

Lejla Hazdic u nderua me këtë çmim për rolin e saj të çmuar në fushën e trashëgimisë kulturore duke kontribuar në nxjerrjen në pah të vlerave kulturore dhe të tipologjisë ndërtimore të qytetit të Beratit, për restaurimin e banesave duke prezantuar denjësisht qytetin e Beratit si brenda dhe jashtë vendit.

Simon Vrusho për kontributin e tij në çeljen e muzeut “Solomoni”, i pari muze në vendin tonë kushtuar hebrenjve, i cili shumë shpejt u kthye në një qendër pelegrinazhi që është vizituar nga qindra turistë nga 40 shtete, njëkohësisht dhe për prezantimin dinjitoz të qytetit të Beratit, si një vlerë e shtuar në panteonin e muzeologjisë botërore.

Myrto Uzuni si një figurë e re plot shpresë dhe të ardhme në fushën e futbollit shqiptar, për rezultatet mbresëlënëse gjatë vitit 2018 në kampionatin e futbollit kroat si dhe atë kombëtar, një pikë referimi frymëzuese për brezat e rinj dhe një qytetar model, i cili është kthyer në një ambasador i qytetit të Beratit nëpër botë.

Përfaqësues në aktivitet ishin Petrit Sinaj, kryetari bashkisë së Beratit, Harilla Dafa, prefekti i qarkut Berat, si dhe Artion Duka, drejtor i Policisë Vendore.

Në fjalën e tij, Sinaj përshëndeti pjesëmarrësit, si dhe uroi fituesit e çmimit për shembullin e tyre tejet pozitiv dhe frymëzues për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe komunitetin e qytetit të Beratit në veçanti.
Ceremonisë iu bashkua edhe prezantimi i “Sofrës beratase”.

“Sofra beratase” këtë vit u konceptua si një sofër e cila mirëpret dhe jep vlerësime dhe urime. Aktiviteti u zhvillua në frymën e traditës më të mirë të mikpritjes dhe gatimit beratas dhe u parapri nga një panair punimesh artizanale dhe gatimesh tradicionale.

Gjithashtu gjatë aktivitetit u promovua dhe u synua të nxitej tradita më e mirë e gatimeve tipike të qytetit. Për këtë arsye u krijua një sofër simbolike, e cila përfshiu disa nga gatimet tipike të qytetit të Beratit. Gatimet më përfaqësuese të qytetit i përkasin periudhës së fundvitit dhe për këtë arsye u zgjodh kjo periudhë kohore për të promovuar edhe artin e gatimit beratas. Partnerët mbështetës të Bashkisë Berat në “Sofrën beratase” ishin shkolla e mesme profesionale “Kristo Isak”, organizata CESVI, Qendra e Artizanatit “Margarita” dhe Shoqata BID Berati. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjylameti: Opozita frikë nga Reforma në Drejtësi, do t’u sekuestrojë pasuritë
Artikulli tjetërStandarde të reja në maternitet, foshnja 15-ditëshe gëzon shëndet të plotë