Ballina Aktualitet

Amendamentet e PD-së, përpjekja e fundit për të penguar Reformën në Drejtësi

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Amendamentet e Partisë Demokratike për vetingun në politikë janë përpjekja e opozitës për t’i vendosur ferrën e fundit Reformës në Drejtësi”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “për vetingun në politikë ka vetëm dy institucione të gjithëpranuara dhe ato janë SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit”.

Kjo, tha Balla, ishte përpjekja e fundit për të penguar reformën në drejtësi. Balla informoi se pritshmëritë për ngritjen e BKH-së janë më shpejt sesa fundpranvera e vitit tjetër.

BKH dhe SPAK, tha ai, janë dy institucionet që bëjnë të mundur vetingun e vërtetë të politikës.

Ndërkohë opozita, sipas Ballës, pretendon se kërkon vetingun e politikanëve, por nga ana tjetër nuk kërkon hetimin e pasurisë apo të familjarëve. “Ne nuk mjaftohemi vetëm me largimin e politikanit të korruptuar nga politika, por garantojmë që të merren masa ndëshkuese. Si mund të plotësohet pritshmëria e shqiptarëve kur kërkohet që politikanët e korruptuar të ikin nga politika pa u përballur me drejtësinë”, – tha Balla.

Sipas tij, opozita u kthye në Kuvend pas 6 muajsh bojkot, ndërkohë që institucionet kushtetuese janë në prag të nisjes së punës.

“Luli nuk merret fare me pasurinë e politikanëve, as me familjarët dhe me dënimin e politikanëve të dënuar apo të lidhur realisht me krimin. Ne jemi gati për vetingun e politikanëve dhe për këtë jemi angazhuar që me nisjen e Reformës në Drejtësi”, – tha Balla.

Sipas tij, “Reforma në Drejtësi jep 100% garanci për një veting real në politikë”.

Balla ftoi po ashtu opozitën që të votojë reformën zgjedhore, e cila sipas tij “është drafti më i mirë që përmban të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në 3 zgjedhjet e fundit”.

“Ai përmban të gjitha kërkesat e tua kur ishe në çadër si testimi i teknologjisë në zgjedhje në të paktën 200 qendra votimi. Në janar, jam gati që së bashku të ngremë edhe një komision tjetër të posaçëm për ligjin e financimit të partive politike. Është historike depolitizimi i komisioneve zgjedhore në këtë draft”, – tha Balla.

Po ashtu, ai theksoi se drafti parashikon që për zgjedhjet e 2021 të bëhen ndryshime në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor sa i takon votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, dhe që janë më shumë se 1/3 e shqiptarëve. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBullgaria dikton rregullat për një kontroll më të mirë të institucioneve fetare
Artikulli tjetërKonsolidimi i reformës territoriale, në fokus të projektit STAR 2