TIRANË, 20 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/ – Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me studentë të arkitekturës dhe inxhinierisë tha se qeveria do përgjysmojë tarifat për të gjithë studentët këtë vit akademik, ndërsa vitin tjetër, do të ketë shkallëzim të tarifave, duke motivuar më të mirët.
“Ju keni kërkuar përgjysmim tarifash. Këtë vit qeveria do paguajë gjysmën e tarifave dhe gjysmën tjetër do e paguani ju. Këtë vit përgjysmimi do jetë dhe për ato studentë që janë me katra e pesa, ndërsa vitin tjetër jo, vitin tjetër do ketë përshkallëzim. Kush është me 9-10-ta do e ketë falas, së bashku me personat me ndihmë ekonomike apo probleme të tjera. Së dyti, ato që do kenë mesatare 8-9 do e kenë 75% dhe 50% ato që janë 6-8 dhe tarifë e plotë pjesa e katrës dhe pesës”, – tha Rama.
“Kush nuk do të mësojë s’ka pse harxhon para kot, të shkojë në shkollë profesionale”, – tha Kryeministri. /j.p/























